Tuesday, March 4, 2008

EPIRI

NJË REALITET QË FLET SHQIP

Nga: QEMAL VELIJA


===============================

Si u krijua minishteti grek më 1830

…Më në fund, më 3 shkurt 1830, Kongresi i Londrës krijon një mbretëri të ashtuquajtur greke. Me këtë mbretëri në jug ndodhi njësoj si me atë të Malit të Zi në veri. Gjithmonë, si njëra dhe tjetra, kanë pretenduar të zmadhohen në kurriz të Shqipërisë, pasi grekët dhe malazezët janë më tepër armiq me racën shqiptare e vllahe sesa me Perandorinë Osmane.
Vetë Anglia, qysh më 1830, nuk donte që mbretëria e re të kapërcente malin Parnas. Kjo – thoshte ajo – pasi nuk ka grekë më përtej. Nga Parnasi në Pind, banorët janë pothuaj të gjithë shqiptarë dhe vllehë. Meqë raca greke, ose e greqizuar, nuk i kalonte 350 mijë vetët, u pa e udhës që kjo mbretëri e vogël të shtrihej deri në Pind, domethënë, deri në gjirin e Prevezës dhe të Lamisë. Edhe e zmadhuar kaq shumë në kurriz të shqiptaro-vllehëve, mbretëria e re me 45 ishujt e vegjël të saj, kishte në vitin 1836, me afërsi vetëm 700 mijë banorë - thotë Kantu (vëll.18, fq.168).
Më 1840 thuhet se kishte pak më shumë, dhe më në fund Anglia i dha asaj (v.1864) ishujt jonianë… Ç’nuk bëri Greqia për të rrëmbyer këta ishuj. Më pas, çfarë nuk bëri ajo për ti marrë Perandorisë Osmane Thesalinë dhe Agrafën. Pa folur për banditizmin politik që ajo kishte ushqyer qysh më 1830, shohim që të përfitojë nga lufta e Krimesë (v.1853) për të pushtuar këto zona.
(Shënim: mbretëria greke e pranuar në Kongresin e Londrës, shteti i ri grek me 350 mijë banorë, nuk përfshinte brenda kufijve të tij Akarnaninë, Etolinë, Fokidën, Ftiotidën, Thesalinë, e aq më pak Epirin, të cilat nuk kishin popullsi greke e as të greqizuar. Edhe linja e dytë Prevezë-Lamia nuk përfshinte Epirin Fokidën, Thesalinë, të cilat konsideroheshin krejt të huaja për një shtet grek).

Zh.K. Faverial: "Historia e Shqipërisë"

========================


Artikulimi aq i shpeshtë, dhe ngritja në strategjinë e politikës së sotme të shtetit grek, i termit dhe konceptit "Vorioepir", duket se ka ngjallur edhe njëlloj stepjeje ndër shqiptarët e frustruar të ditëve të sotme. Ndjehen shumë-shumë ankime, ndonjë mbrojtje e vobektë e shqiptarësisë së të ashtuquajturit "Vorioepir" nga media, ndërkohë që agresiviteti grek rrit kuotat dita-ditës. Një tregues i qartë i këtij agresiviteti (dhe duhet thënë edhe i njëlloj verbërie euforike) janë edhe deklarimi i paradokohshëm i ish-presidentit Stefanopulo në një takim në Bruksel për "tokat e pushtuara të Vorioepirit", "incidenti" i fundmë i Papuliasit, lëvizjet subversive me manifestime flamujsh grekë, me shkolla greke, me thirrje antikushtetuese dhe subversive për "Himarën greke", e shumë aspekte të tjera që shprehin njëkohësisht edhe linjën mbizotëruese të krejt politikës greke në këto kohë. Që, në të vërtetë, është një divulgim (apo vulgarizim) i prononcimit publik të Papandreut kohë më parë se "po punojmë për helenizimin e Shqipërisë".
Një koncept absurd mbi të cilin luhen këto lloj politikash minuese për shtetin shqiptar bazohet mbi "ndarjen e padrejtë administrative të pjesës veriore të Epirit nga perandoritë kalimtare", dhe kjo duke manipuluar me një pakicë grekofone të ardhur në rrethinat e Gjirokastrës dhe Sarandës si emigrantë ekonomikë jo më herët se një shekull e gjysëm më parë.
Por, mjerisht, nga pala shqiptare mbi të cilën kryhet diversioni është pranuar ekzistenca zyrtare e një "vorioepiri grek" dhe luhet vetëm me modalitetet e shtrirjes së tij në jugun e shtetit shqiptar. Por, ndërkohë, argumenti që duhej dhe duhet të përballë këtë lloj agresioni të pashembullt grek, është se çfarë përkatësie historike, etnike, dhe faktike ka vetë Epiri si krahinë apo si koncept gjeografik (duke thënë, për koherencë, se Çamëria është vetëm një pjesë e tij). Në këtë hulli mendojmë se ia vlen të hedhim disa argumenta, për të shtruar ndoshta edhe një vijë politike të re në raportet e nxehta greko-shqiptare. Pra, çfarë është Epiri?
E para, për popullsitë e Epirit burimet historike flasin krejt në të kundërt të tezës greke, të formuluar shumë vonë (nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë), dhe i veçojnë këto popullsi si jogreke. Që në shekullin e V p.e.s., Tukididi në "Lufta e Peloponezit" flet për "barbarë" që morën pjesë si aleatë në këtë luftë. Ai përmend fiset e kaonëve, thesprotëve, molosëve, antiniatëve, paranejve, që i dallon qartas, ashtu si dhe maqedonasit, prej ushtrive të tjera greke që morën pjesë në betejat e Peloponezit. Dhe njihen tashmë vendbanimet e këtyre fiseve, që ishin përkatësisht ato të Epirit. Po më tej mund të përmendim Strabonin e shekullit të parë p.e.s, i cili përkufizon se "Popullsia e Epirit, Ilirisë dhe Maqedonisë flasin të njëjtën gjuhë, bile dhe flokët i presin njësoj. Kanë të njëjtat zakone. Ata qeverisen nga kuvendi i pleqve të cilin e quajnë Plakonia…". Dhe në të vërtetë edhe Tukididi na sqaron se fiset e Epirit nuk kishin mbret, pra qeveriseshin sipas mënyrave të tyre tradicionale, me pleqësi. Ndërsa burime të tjera na njohin me udhëheqës të shquar të kësaj treve si Pirro i Madh apo Aleksandër Mollosi i Epirit, për të cilët askush nuk ka vënë në dyshim deri më sot se ata nuk i përkisnin racës shqiptare (ilire, epirote, maqedone, arbërore, apo më lashtërisht asaj pellazge).
Dhe kjo popullsi vjen më pas nën perandorinë Romake e përcaktuar si popullsi e provincës së Epirit, ndërsa në veri të saj deri në afërsi të Shkodrës kemi provincën e Epirit të Ri, që kufizohej nga ana e saj me provincën e Prevalitanisë dhe që përfshinte bregun perëndimor të Adriatikut që nga Shkodra e Dalmacia. Këto tre provinca romake bashkë me Dardaninë përbënin dhe pjesët administrative të kontinuitetit të popullsive ilire (Prefektura e Ilirikumit) që shtriheshin në hapësirat ballkanike. Po në këtë kuptim të vazhdimësisë së kësaj popullsie, vijmë edhe në Bizant ku Temat (ndarje administrative të kohës) përkojnë afërsisht me ato të provincave romake, dhe Epiri emërtohet si Tema e Nikopojës, dhe Epiri i Ri si Tema e Durrësit.
Më evidente popullsia shqiptare (shih epirote) e këtyre trevave del në shekujt e fundit të Perandorisë Bizantine, ku protagonistë në to dalin dinasti dhe prijës të tillë të njohur si Shpatajt dhe Loshajt, apo më lart Zenebishët, që zotërojnë përkatësisht krahinat qark Janinës dhe Prevezës deri në Etoli e Akarnani. Këto populloheshin prej fisesh shqiptare që më të dalluarit ishin ato të Mallakasajve dhe Mazarekajve. Një përkatësi e padiskutueshme shqiptare e popullsisë del në të gjitha analet historike të kohës, dhe në veçanti në "Kronikat e Tokkos" dhe "Kronikat janiniote" si dhe tek autorët bizantinë. Për ilustrim po përmendim Kantakuzinon "…kur princët italianë Oroshinë marshuan për të nënshtruar territoret e despotatit të Epirit, shumë shqiptarë të cilët kishin organizuar rezistencën për lirinë e vendit të tyre… iu ngjitën maleve të Pindit dhe zbritën në anën tjetër të tyre në Thesali…". Pra Kantakuzino, despotatin e Epirit e quan vendin e shqiptarëve.
Edhe rezistenca e shqiptarëve (epirotëve) përkundër sulmeve osmane dallohet nëpër analet e kohës, sidomos për veçorinë se në anën e osmanëve ishin edhe perandorët bizantinë. Për përkatësinë e padyshimtë të Epirit shqiptar flasin dhe dokumentat e kohës së perandorisë Osmane, të cilat shtrihen edhe më tej Epirit, duke vënë në pah edhe popullimin e trevave të tjera të Greqisë së sotme, si Peloponezi apo Thesalia, prej shqiptarëve. Pa folur këtu për shqiptarët e Pashallëkut të Ali Pashës që shtriheshin përgjatë gjithë Epirit deri në Peloponez, Beoti, Atikë, etj.
Vetëm në shekullin 20, kur pjesa më e madhe e Epirit (si koncept gjeografik) i kaloi nën juridiksion Greqisë, prej atyre trevave u larguan me përdhunë dhjetëra mijëra shqiptarë të përkatësisë muslimane dhe u ushtrua presion i madh asimilues apo kamuflues për pjesën tjetër të popullsisë shqiptare të besimit ortodoks (duke i njësuar me helenë), që jeton edhe sot e kësaj dite në trojet e tyre trashëgimore.
Së dyti, si koncepte gjeografike apo si përmbajtje, "Epiri" dhe "epirotët" në të gjitha kohërat janë përdorur për atë popullsi shqiptare që popullonte ato treva. Shpesh këto emërtime morën dhe karakter përgjithësues për arbërit e mesjetës së vonë, duke revokuar kështu parardhësit e tyre për lavdinë dhe madhështinë në kujtesë. Skënderbeu krahasohet si pasardhës i Pirros apo edhe i Aleksandrit (të Epirit). Kështu, në kronikat apo materialet e tjera me karakter historik, dhe sidomos ato të shekullit 15, pra periudha e Skënderbeut dhe prijësve të tjerë shqiptarë si Aranitët, Muzakajt, etj., nuk rreshten së cilësuari si "epirotë", dhe rëndom Arbëri cilësohej si Epir apo Maqedoni (shih dhe Barletin veç tjerëve).
Edhe pse në konceptin e ngushtë gjeografik Epiri përfshin trevat që prej jugut të Vlorës dhe deri në gjirin e Prevezës, Epiri është përdorur përgjithësisht dhe pa keqkuptime për treva shumë më të gjera, sepse në to nuk shihnin ndonjë dallim përkatësie etnike. Të gjitha kishin të njëjtën përmbajtje, atë të një popullsie dhe territoresh që sot mbartin emërtesën shqiptare.
E treta, gjatë gjithë historisë mijëravjeçare, vetëm në shekullin 20 popullsia dhe trevat e Epirit kanë provuar një pushtet politik grek. Deri në këtë këtë shekull, asnjë lloj pushteti politik apo ushtarak i tillë nuk ka vepruar në Epir. Nëse do ti referohemi periudhës pararomake, gjejmë vetëqeverisje të fiseve që e përbënin atë, apo prijës të po këtij karakteri, mjafton të kujtojmë Lidhjen Mollose, Pirron dhe dinastinë përkatëse të Epirit, apo më tej Aleksandër Mollosin, dhe në asnjë rast, sado të shkurtër qoftë, nuk kemi qeverisje me përkatësi greke. Edhe në periudhën e perandorisë romake apo më tej bizantine, përsëri administrativisht kemi nëndarje që përkojnë përsëri me përkatësinë e veçantë të këtyre trevave në dallim prej atyre të ashtuquajtura greke. Në një periudhë të shkurtër kemi zotërimin e Karl Tokos (edhe ky aspak grek) mbi këto treva, apo sundimin serb në kohën e inkursionit politiko-ushtarak 25-vjeçar të Dushanit, por asnjëherë pushtet grek. Dhe padyshim që s’mund të kishte, sepse grekët vetë, që prej antikitetit e deri në vitin 1830, nuk kanë pasur kurrfarë organizimi shtetëror e administrativ të tyre, që të mendonin më pas të shtrinin këtë sundim edhe mbi treva të tjera, pra edhe mbi Epirin.
Edhe në shekullin 19, kur shteti grek ishte krijuar tashmë si bërthamë dhe jo me këto hapësira që ka sot, ishte tepër larg prej trevave të Epirit. Edhe në bisedimet apo traktatet e fuqive të mëdha të asaj kohe, shumë vonë, vetëm në fillimet e shekullit 20, Greqia përballë dobësisë shqiptare, ngriti pretendimet e saj mbi Epirin. Deri në dekadën e dytë të këtij shekulli, pra 20, lëvizja kombëtare shqiptare kishte themele të forta në Epir, me klubet, shkollat shqipe, me aktivitetet e tjera, të gjitha të inkuadruara në lëvizjen e unifikuar kombëtare shqiptare.
E katërta, edhe në këndvështrimin e huaj, pra albanologëve, të studiuesve, udhëtarëve, gjuhëtarëve, etj., njësia e Epirit shihet si një njësi shqiptare dhe kurrfarë insinuate nuk është bërë që Epiri të ketë përkatësi greke. Nëse do ti referohemi hartave demografike e etnografike të periudhës më intensive të përcaktimeve dhe konfigurimeve të kombësive në Gadishull, shekullit 19, do të vërejmë se edhe në simpatizantët e helenizmit apo të sllavizmit, si dhe në materiale të tjera që gjithsesi nuk përmbajnë afeksion të veçantë për shqiptarët, nuk gjejmë tentativa për ta paraqitur Epirin si një krahinë greke. Për ilustrim mund të përmendim hartën etnografike të francezit Lëzhan të vitit 1861, e cila na jep një hapësirë të pastër shqiptare deri në Artë e Prevezë në perëndim të Epirit dhe deri në Trikalla në juglindje. Ndërsa ajo e Mirkoviçit e 1867, jep një hapësirë krejtësisht të pastër shqiptare deri në istmin e Korinthit, duke përfshirë padyshim Prevezën, Janinën, Artën e deri në Trikalla në lindje. E njëjta gjë edhe me hartat e Kostandin Noes apo të Bradaskës. Po ashtu udhëtarë anglezë, konsuj francezë, pa folur për studiues austriakë e gjermanë, nuk shihnin ndonjë dallim midis popullsisë së Epirit dhe shqiptarëve të tjerë më në veri. Përkundrazi ata janë fokusuar në traditën e pasur të vlerave etnografike, kulturore e zakonore të shqiptarëve të Epirit, si tradita të spikatura shqiptare në përgjithësi.
Padyshim në rrjedhat e historisë Epiri dhe popullsia e tij dalin krejtësisht të pastra me përkatësi shqiptare dhe pa pikëtakime me grekët, kështu që do të duheshin hapësira të pafund për të evidentuar fakte dhe burime të tjera historike në ilustrim të kësaj. Ndërsa teza greke për përkatësi greke të Epirit është krejt e pakuptimtë dhe e paargumentuar në asnjë këndvështrim. Natyrshëm që një pjesë e kësaj popullsie të Epirit ka pasur dhe ka përkatësi fetare ortodokse, dhe kjo është e vetmja pikë ku grekët ngulmojnë për të "vërtetuar" tezën e tyre mjerane. Por do të kujtojmë se besimi ortodoks shtrihet deri në stepat e largëta të Rusisë tepër larg grekëve…
Pra, Epiri ka ekzistuar shumë herët si një degë e trungut të madh iliro-shqiptar në të gjithë kohërat, dhe në lashtësi ka lënë gjurmët e veta si një njësi tepër e dallueshme prej grekëve të hershëm apo të vonshëm, që gjithsesi duhet të vërejmë se janë të dyshimtë për trashëgiminë helene të përvehtësuar spekullativisht. Është e vërtetë se perandoria Romake, Bizantine apo ajo Osmane, trevat e gjera shqiptare, e ndërmjet tyre edhe Epirin, i ka ndarë apo pjestuar administrativisht, por kjo nuk përbën ndonjë argument për tu mbrojtur prej grekëve si "ndarje të Epirit grek prej veriut të tij", por ato mbeten përherë nëndarje perandorake administrative shqiptare, dhe s’ka asnjë motiv për tu marrë si shkak ndryshimi përkatësie.
Epiri si një realitet historik përkatësisht shqiptar, dhe si një aktualitet që duhet shtruar për zgjidhje, iu përket shqiptarëve, ai mbetet një realitet që flet vetëm shqip… Dhe kur Epiri është katërcipërisht shqiptar, po "Vorioepiri"?!

Qemal Velija

No comments: